Gazeta më e madhe zvicerane, “Blick”, shkruan sot se Xherdan Shaqiri, mesfushori 20 vjeçar i Bazelit, pas Gallatasarajt i ka kthyer sytë nga Zenit St. Petersburg. Siç shkruan gazeta, Shaqiri ka pranuar një ofertë të jashtëzakonshme. Rusët i kanë ofruar 10 milionë euro klubit zviceran, një shumë që cilësohet e parefuzueshme.
Por në ditët në vijim, pritet që edhe Gallatasaraj të rritë ofertën që bëri pak kohë më parë dhe që u refuzua nga drejtuesit e Bazelit. Në të njëjtën kohë, janë dy klube të tjera që ndjekin me interesim talentin kosovar, Mançester Junajtid dhe Bajern Mynih.
Këta të fundit nuk kanë bërë ende ofertat e tyre, por tani duhet të veprojnë shpejt para se çmimi i futbollistit të rritet edhe më shumë nga ofertat ruse.
Sipas gazetës “Blick”, largimi i lojtarit që luan për kombëtaren zvicerane drejt një eksperience të re duket i afërt pasi ai dhe klubi vështirë se mund t’i rezistojnë këtyre ofertave. Por destinacioni i tij do të mësohet të martën në darkë, kur mbyllet edhe afati i transferimeve për merkaton e janarit. (LajmeShqip.com)
Friday, 27 January 2012 11:46