Zdenek Zeman ka pranuar se Roma e tij kundër Juventusit nuk ka patur asnjë shans për të marrë fitoren. Tekniku është munduar gjithsesi të heqë përgjegjësitë nga vetja pas kësaj humbje që ka treguar se pavarësisht ideve të tij për lojën e bukur, kryeqytetasit janë ende shumë larg pretendimeve.
“Kush e kishte fajin… Që në fillim u munduam të kontrollonim ndeshjen dhe nuk ia arritëm. Juventusi ishte dukshëm më superior se ne. As nuk mbrojtëm e as nuk sulmuam. A janë idetë e mia të vjetra? Kur të shoh skuadrën duke luajtur me idetë e mia, atë herë mund të them nëse janë të vjetra apo jo. Kam parë shumë pak në fushë nga ajo që provojmë në stërvitje”, ishte përgjigja e trajnerit çek ndaj atyre që mendojnë se futbolli i tij ofensiv nuk funksionon në këto nivele të larta.
“Problemi është të gjejmë fillin e lojës, nuk mbrojmë asgjë, në mes nuk kapim asnjë kundërshtar dhe nuk luajmë as në vertikale. Ishte një ndeshje e shëmtuar por mendoj se çdokush demoralizohet kur pëson 3 gola në 7 minuta. Juventusi luajti mirë. Është e vërtetë që golin e katërt e pësuam në fund, por duhet të kishim pësuar të tjerë më përpara”, tha trajneri çek, duke pranuar ndoshta për herë të parë në karrierën e tij si trajner se ishte mundur në fushën e lojës nga juventinët, të cilët i ka akuzuar gjithmonë për përdorim dopingu apo për marrëveshje me gjyqtarët.
Në fund, nuk mund të mungonte një tjetër batutë therëse ndaj të gjitha atyre që e kritikojnë. “Thonë se jam i vjetër dhe ka ardhur koha të shkoj në pension? Ka njerëz si Papa apo presidenti i Republikës që janë më të vjetër se unë po punën e tyre e bëjnë shumë mirë”, tha Zeman. (LajmeShqip.com)
Sunday, 30 September 2012 12:42