Trajneri i Romës, Zdenek Zeman, ka deklaruar se nuk është çuditur nga deklaratat e reja që kanë dalë rreth përdorimit të dopingut mes ekipeve të Serie A. Gjatë viteve ’90, trajneri çek ka akuzuar vazhdimisht Juventusin për përdorimin e substancave të palejuara, shkak i tensioneve që vazhdojnë ende mes palëve.
Tani, ish-mesfushori argjentinas i Parmës, Lacios e Interit, Matias Almeida, ka publikuar një autobiografi që flet mbi këtë problem gjatë periudhës së qëndrimit në Itali dhe sipas Zeman, ky është një lajm që nuk e çudit aspak.
“Disa vite më parë, unë deklarova se kishte doping në futboll. Unë nuk e kam lexuar autobiografinë e Almeidas, por nuk çuditem nga ajo. Tani lojtarët po thonë gjërat që kam thënë unë më parë. Nëse do ta kishin bërë një gjë të tillë më parë, problemi do të ishte eliminuar me kohë”, tha trajneri i Romës.
Ironikisht, trajneri do të përballet këtë javë me armiqtë e Juventusit në fushën e këtyre të fundit dhe pritet që të vërshëllehet gjatë nga tifozët bardhezinj. Por 65 vjeçari ka ironizuar me situatën e krijuar, duke bërë të ditur se nuk ishte i vetmi “armik” i kampionëve të Italisë.
“Unë vazhdoj të shpresoj që ajo të jetë thjesht një ndeshje futbolli. Por nëse tifozët e Juventusit janë të inatosur me mua, ata duhet të jenë të inatosur gjithashtu me prokurorët, gjykatat dhe shumë e shumë njerëz të tjerë”. (LajmeShqip.com)
Friday, 28 September 2012 10:01