Pep Guardiola ka ndër mend të bëjë një revolucion në sezonin e ardhshëm te Bajern Mynih, ndonëse bavarezët duket të pandalshëm dhe po shkëlqejnë në këtë sezon, si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve. Trajneri spanjoll u ka dorëzuar drejtuesve të klubit listën me emrat e lojtarëve që dëshiron të afrojë në merkato, duke bërë të qartë se për të aplikuar idetë e tij, ka nevojë për disa futbollistë me karakteristika të ndryshme nga ata që janë aktualisht të bavarezët.
Dy emrat e parë në këtë listë janë futbollistët e Juventusit, Arturo Vidal dhe Stefan Lihtshtajner. Mesfushori kilian kërkohet prej kohësh nga skuadra gjermane dhe ishte pranë transferimit në radhët e tyre para se të kërkohej nga ekipi italian, dy sezone më parë. Ndërkohë, Lihtshtajner është afirmuar si një nga mbrojtësit më të mirë në krahun e djathtë dhe kjo ka shtyrë Guardiolkën që ta kërkojë me ngulm atë.
Emri më i bujshëm që kërkon trajneri spanjoll është ai i Edinson Kavanit, i cili pritet të zëvendësojë Mario Gomez, gjithnjë e më shumë drejt largimit nga bavarezët pas një sezoni krejtësisht në hije.
Nëse nga kampionati italian kërkohet edhe Saviç i Firoentinës, Guardiola ka bërë të qartë edhe lojtarët që kërkon nga kampionati spanjoll. Inigo Martinez dhe Asier Ijaramendi të Real Sociedad, Isko i Malaga, Benat Ekstebarria i Betis dhe Iker Munian i Atletik Bilbao janë emrat që kërkon trajneri për të nisur një revolucion të mirëfilltë në radhët e ekipit bavarez, ndërsa për të financuar të gjitha këto blerje pritet që klubi gjerman të nxjerrë në shitje Arjen Roben dhe Frank Riberi. (LajmeShqip.com)
Friday, 05 April 2013 11:32