E ardhmja e Havier Zanetit është e shkruar, pasi kapiteni i Interit nuk do të ketë nevojë të kërkojë punë pasi të përfundojë karrierën e tij si futbollist. Ashtu siç ka ndodhur me mikun e tij Ivan Kordoba, edhe për argjentinasin do të ketë një vend në administratën e klubit. Por futbollisti pritet të marrë një detyrë shumë presitgjioze, atë të zëvendëspresidentit.
Sugjerimi ka ardhur nga faqet e “Il Corriere dello Sport”, që ka treguar se si Morati po merr në konsideratë idenë që ta kthejë atë në imazhin e ri të Interit, për vetë statusin legjendar që mban futbollisti në këtë skuadër.
Ai ka ardhur të Inter në vitin 1995 dhe pas 803 ndeshjesh me fanellën zikaltër, vazhdon t’i qëndrojë besnike asaj. Për më tepër, numri 4 i Interit as nuk duket se ka ndër mend të braktisë fushën e lojës edhe pse është 39 vjeç. Testet fizike të zhvilluara në fillimin e sezonit kanë treguar se ai ka parametra atletikë më të mirë se në vitin e kaluar, që do të thotë se mbetet titullar dhe ndër më të aktivizuarit nga trajneri Stramaçioni.
“Jemi me fat, pasi djemtë nuk e shohin Interin si diçka që nuk do të bëhet më pjesë e jetës së tyre, në të kundërt, e shohin si të ardhmen dhe duan që të jenë pjesëmarrës”, ishin fjalët e Moratit pak ditë më parë duke folur para sponsorëve të ekipit, ndërsa qëndronte pikërisht përkrah Zanetit. (LajmeShqip.com)
Monday, 10 September 2012 14:01