Kapiteni i Interit, Havier Zaneti, ka pranuar hapur se zikaltërit kanë ambicie që në këtë sezon të kthehen në rivalët e Juventusit për të synuar fitoren e titullit kampion.
Interi është 4 pikë larg Juventusit në renditjen e kampionatit italian, ku aktualisht mban vendin e tretë, ndërsa argjentinasi beson se ky ekip është në gjendje të luftojë deri në fund si i barabartë me kampionët në fuqi.
“A jemi ne rivalët kryesorë të Juventusit? Ne duam që të jemi aty lart, për t’i sfiduar deri në fund. Ne po ndjekim rrugën tonë dhe ndjejmë se do të luajmë një rol të rëndësishëm në kampionat gjatë këtij sezoni” u shpreh ai në faqen e internetit të klubit.
Më pas, biseda ka kaluar te Uesli Shnajder, një lojtar i rëndësishëm për projektin e Interit por që ka munguar për shkak dëmtimi gjatë javëve të fundit kur zikaltërit kanë rifilluar të shkëlqejnë, duke vënë në diskutim të ardhmen e tij.
“Unë shpresoj që Uesli të kalojë sa më shpejt problemet që ka pasi ai na jep ne diçka më shumë dhe unë e di që është i dëshpëruar për t’u kthyer sa më shpejt në fushën e lojës. Ai vazhdon të jetë një personazh kyç për skuadrën tonë”, u shpreh kapiteni, duke hedhur poshtë zërat për një largim të mundshëm të holandezit që ka luajtur vetëm 8 ndeshje për zikaltërit që në momentin kur ka filluar sezoni. (LajmeShqip.com)
Friday, 26 October 2012 17:58