Ivan Xhenaro Gatuzo do të jetë trajneri i ri i Palermos, duke drejtuar këtë skuadër në Serinë B në sezonin e ardhshëm. Konfirmimi ka ardhur nga presidenti i ekipit sicilian, Mauricio Zamparini, i cili ka bërë të qartë se mendon t’i besojë ish-mesfushorit skuadrën në këtë vit tranzicioni.
“Gatuzo është një person që më pëlqen shumë. Pasi të mbarojë mosmarrëveshja me Saninon, mund të bëhet trajneri ynë. Kur do ta shkarkoj Gatuzon? Kuptohet që para se ta marr në punë, do të firmos letrën e tij të shkarkimit. Por më i shkëlqyer ka qenë presidenti i Sionit, i cili është një admirues i imi. Ai ka shkarkuar nga puna 7 trajnerë brenda vitit”, ishte batuta e Zamparinit, i cili njihet për paqëndrueshmërinë e fjalëve të tij dhe se shkarkon vazhdimisht trajnerët që punëson për të drejtuar ekipin.
Gatuzoi ka kontratë edhe për një vit me Sion, por duket se do ta ndërpresë atë me mirëkuptim për t’u kthyer në Itali, tashmë me një detyrë të re. (LajmeShqip.com)
Monday, 03 June 2013 21:45