Xhon Terri po planifikon një kthim të bujshëm në radhët e kombëtares angleze të futbollit, me ëndrrën që të luajë në Botërorin 2014. Mbrojtësi i Çelsit u largua nga kombëtarja në shtatorin e vitit të kaluar, para se të ndëshkohej me akuzën për fyrje racore ndaj Anton Ferdinand.
Terri u inatos edhe për faktin se një gjyq civil e kishte shpallur 32 vjeçarin të pafajshëm dhe në motivimin e tij e cilësoi qëndrimin në kombëtare si “të pamundur”. Irritimi i tij me drejtuesit e Federatës Angleze vazhdon, siç u pa qartësisht kur nuk i dha dorën presidentit të FA, Devid Bernshtain, në ceremoninë e dorëzimit të trofeut të Ligës së Kampioneve një javë më parë në Londër.
Meqë Bernshtain do të japë dorëheqjen shumë shpejt, Terri kërkon që të kthehet në kombëtare ku ka luajtur 78 ndeshje, me shpresën se do të ketë mundësinë të tregojë edhe një herë vlerat e tij me fanellën e Anglisë.
Sipas asaj që kanë zbuluar mediat angleze, mbrojtësi dhe trajneri i kombëtares, Roi Hodgson, kanë pasur kontakte të vazhdueshme gjatë kohëve të fundit dhe kjo ka shtyrë përsëri futbollistin e Çelsit të marrë në konsideratë idenë e kthimit. Dëmtimet e vazhdueshme të lojtarëve kanë krijuar një krizë të mirëfilltë në prapavijën e Anglisë në ndeshjet e fundit dhe kthimi i Territ do të ishte një ndihmë më shumë për këtë kombëtare, që ka ndeshje vendimtare për kualifikimet e Botërorit në shtatorin e këtij vit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 27 April 2013 13:44