Kapiteni i Liverpulit, Stiven Xherard, insiston se nuk është ende gati që të kthehet në një rol më në thellësi para mbrojtjes për të kursyer forcën fizike, ashtu siç bën aktualisht veterani i Mançester Junajtid, Pol Skols.
Mesfushori 32 vjeçar ka biseduar rreth kësaj çështje edhe me trajnerin Brendan Roxhers, i cili mendon se kapiteni ka ende shumë për të dhënë në fazën ofensive.
“Mendoj se njerëzit duan që unë të them se nuk mund të luaj më njëlloj, që duhet të kthehem mbrapa dhe të luaj më ngadalë. Por më besoni, kjo nuk do të ndodhë, të paktën tani. Unë kam folur me trajnerin rreth rolit që ai ka planifikuar për mua dhe ai më sheh si një mesfushor ofensiv”.
“Njerëzit vazhdojnë të përmendin Pol Skols, por ai është katër vjet më i madh se unë! Ndërsa do të plakem, të bëhem 33-34 vjeç, ndoshta do të kthehem më pas, por nuk mendoj se ka ardhur që tani koha për ta bërë një gjë të tillë”.
“E përsëris që jam gati të përshtatem, do të bëj çdo gjë që kërkon trajneri, por mendoj se jam ende në gjendje të luaj si më përpara dhe nuk besoj se roli im do të ndryshojë gjatë sezonit. Nuk kam probleme të luaj para mbrojtjes, e kam bërë kur isha 21 vjeçar dhe mund ta bëj përsëri kur të jem 33 apo 34”, tha Xherard. (LajmeShqip.com)
Friday, 17 August 2012 11:40