Stiven Xherard ka hedhur poshtë idenë se ai do të braktisë përfaqësuesen angleze pas përfundimit të Euro 2012.
Mesfushori 31 vjeçar, i cili do të jetë kapiten i Anglisë në Poloni dhe Ukrainë, tha se ai dëshiron t’i provojë trajnerit Roi Hodgson se mund të vazhdojë këtë detyrë deri në Botërorin 2014 në Brazil.
“E kuptoj që në moshën time, njerëzit fillojnë të më pyesin nëse do të braktis kombëtaren angleze për t’u fokusuar te Liverpuli, por unë nuk i shoh gjërat në të njëjtën mënyrë”, tha futbollisti për “Daily Mirror”.
“Nuk mendoj se ka nevojë për të bërë një zgjedhje. Mua më pëlqen të luaj si për Anglinë, ashtu edhe për Liverpulin”.
Por ai pranoi se fillimisht duhej bindur trajneri Roi Hodgson gjatë pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian.
“Fillimisht duhet të shohim se si do të paraqitem në këtë turne dhe nëse trajner i ri dëshiron që unë të vazhdoj. Nëse trajneri më thotë në fillimin e sezonit të ardhshëm se mendon që unë u paraqita mirë, që ai dëshiron të vazhdoj, që mund të më mbrojë dhe që do të kem një rol kryesor, atëherë do të vazhdoj të luaj për Anglinë”.
“Nëse trajneri thotë që do të dëshironte që unë të vazhdoja të isha pjesë e kombëtares për Brazil 2014, do ta cilësoja këtë si një turne të mirë ku t’i jap lamtumirën kombëtares, por besoj se do të jenë edhe shumë gjëra të tjera për t’u marrë në konsideratë deri atëherë”, deklaroi Xherard, i cili vitet e fundit është ndjekur nga dëmtime të njëpasnjëshme. (LajmeShqip.com)
Thursday, 24 May 2012 15:01