Kapiteni i Anglisë, Stiven Xherard, ka paralajmëruar Uejn Runin dhe shokët e tjerë të skuadrës, që të mos humbasin qetësinë në ndeshjen kundër Malit të Zi që luhet të martën, në takimin vendimtar për kualifikimin në Botërorin 2014.
Runi u ndëshkua me karton të kuq në herën e fundit kur dy kombëtaret u vunë para njëra-tjetrës 17 muaj më parë në Podgoricë dhe Xherard pret që malazezët të provokojnë përsëri sulmuesin duke shpresuar për një reagim të njëjtë.
“Është e rëndësishme që të qëndrojmë me 11 lojtarë në fushën e lojës, pasi do të jetë një ndeshje e vështirë deri në minutën e fundit të saj. Do të jetë një situatë nën trysni dhe nuk duam t’i japim gjyqtarit justifikimin për të larguar ndonjë nga lojtarët tanë me karton të kuq apo për të marrë kartonë të verdhë të panevojshëm. Është e rëndësishme që të gjithë të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre dhe të qëndrojnë në fushën e lojës”, tha kapiteni i anglezëve.
“Mali i Zi do të mundohet të kërkojë faull në çdo moment dhe do të nxitë gjyqtarin të marrë vendime të ngutura”, shpjegoi Xherard atë që pritet të jetë taktika kryesore e lojës së kundërshtarëve ballkanas në këtë sfidë.
Ndonëse stadiumi i Podgoricës ka kapacitet prej 12 mijë vendesh, rreth 40 mijë kërkesa kanë mbërritur në Federatën Malazeze për këtë ndeshje dhe Xherard është i ndërgjegjshëm që i pret një atmosferë e ndezur në këtë impiant.
“Ne presim një tenxhere me presion të mirëfilltë, pasi tifozët e tyre do të mundohen ta bëjnë situatën sa më të vështirë që të jetë e mundur. Por ne jemi mësuar me gjera të tilla dhe do të mundohemi ta përballojmë edhe këtë situatë. Sa herë luajmë jashtë fushës tonë, tifozët kundërshtarë të krijojnë këto probleme, pasi kërkojnë me çdo mënyrë që të na mundin”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 24 March 2013 09:39