Ka marrë emrin “Olimpiada e Twitter” por që në fillimin e saj do të humbë 70 mijë përdorues të këtij rrjeti social. Nëse atletët e Olimpiadës së Londrës janë ftuar nga organizatorët që të jenë sa më të përfshirë në iniciativat e rrjeteve sociale për të komunikuar me median dhe tifozët, e njëjta gjë nuk vlen për ata që punojnë për zhvillimin e këtij evenimenti madhështor.
Komiteti organizator ka përpiluar një rregullore të hekurt për 70 mijë vullnetarët që do të ndihmojnë gjatë të gjithë aktivitetit në ambientet sportive apo fshatin olimpik.
Sipas kësaj rregulloreje, atyre nuk u lejohet të bëjnë publik vendin ku gjenden apo të diskutojnë “online” rreth temave të Lojërave Olimpike.
Rrjetet sociale mund të përdoren vetë për përdorim personal, por do të jenë nën kontroll të rreptë dhe çdo koment rreth Lojërave Olimpike nga vullnetarët do të shoqërohet me largimin e menjëhershëm të tyre. Ky rregull hyn në fuqi që muajin e ardhshëm, kur fillojnë edhe provat e përgjithshme për organizimin e aktivitetit. (LajmeShqip.com)
Monday, 09 January 2012 16:32