Sulmuesi i Malit të Zi, Mirko Vuçiniç, do të ishte i çuditur nëse Anglia do të arrijë të renditet para kombëtares së tij në Grupin H të eliminatoreve të Botërorit në Zonën Evropiane. Dy kombëtaret ndeshen të martën në Podgoricë me ballkanasit që kanë një avantazh prej 2 pikësh në renditje ndaj anglezëve.
“Ndoshta kur u hodh shorti, shumëkush mendonte se ne duhej të frikësoheshim nga Anglia, se duhet të frikësoheshim nga lojtarët e mëdhenj që kanë”, tha ai për “Daily Mirror”. “Por ne nuk frikësohemi nga askush, jemi një komb që nuk ka frikë askënd. Nuk çuditem nga fakti që ne kryesojmë grupin dhe e vetmja çudi do të jetë vetëm nëse nuk mbyllim kualifikueset në atë pozicion”.
“Nuk e cilësojmë Anglinë si një shtet superior ndaj nesh në futboll. Ata mund të jenë rivalët tanë për të fituar grupin por ne kemi besim se mund të qëndrojmë në krye”, ishin fjalët e lojtarit malazez që shënoi golin e fitores 1-0 në transfertë në Moldavi të premten.
“Anglia duhet të përgatitet për një ndeshje të vështirë. Tifozët tanë krijojnë një atmosferë frikësuese, por Anglia tashmë e di një gjë të tullë. Uejn Runi u ndëshkua me karton të kuq këtu kur luajti herën e fundit dhe tifozët tanë do t’ia vështirësojnë përsëri jetën lojtarëve anglezë”, ishte paralajmërimi i Vuçiniç. (LajmeShqip.com)
Sunday, 24 March 2013 17:36