Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, ka thënë se ka kërkuar mbështetje për pranim në UEFA e FIFA nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kroacisë, Davor Shuker. Vokrri të martën është pritur nga Shukeri në selinë e federatës kroate në Zagreb.
“Kam kërkuar mbështetjen nga Federata e Futbollit e Kroacisë, meqë jemi në një fazë të rëndësishme të lobimit për pranim në UEFA dhe FIFA. Në këtë takim është biseduar edhe për të arriturat e futbollit të Kosovës dhe Kroacisë”, ka thënë Vokrri të martën për gazetën.
Federata kosovare shpreson që në muajin mars të vitit të ardhshëm të pranohet në UEFA e FIFA. FFK-ja ka aplikuar për pranim në dy institucionet më të mëdha të futbollit, shkruan sot Koha Ditore.
Kosovës në janar të vitit të kaluar iu dha leja nga FIFA për zhvillimin e ndeshjeve miqësore, por që nga atëherë nuk ka ndonjë hap para për pranim, me gjithë punën e vazhdueshme të FFK-së.
I pari i futbollit kroat, ish-lojtari i njohur Shuker, është edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Edhe federata kroate ka njoftuar për takimin me FFK-në, por pa dhënë shumë detaje.
Wednesday, 26 August 2015 15:06