Vlorë – Drejtuesit dhe lojtarët e Flamurtarit janë optimistë për rezultatin e takimit të kthimit, që do të zhvillohet sot pasdite ndaj skuadrës malazeze të Buduçnost, në kuadrin e Europa League.
Një javë pas fitores së bujshme në Podgoricë me rezultatin 3-1, vlonjatët janë entuziastë për përfundimin e përballjes së sotme, që do t’i çojë në turin tjetër të aktivitetit evropian të futbollit. Trajneri Gugash Magani, tha për ATSH-në se, “pavarësisht rezultatit të arritur në takimin e parë, skuadra do të jetë e kujdesshme, duke synuar një lojë sulmuese dhe duke u kujdesur për mbrojtjen”.
“Nuk do të rreshtim së sulmuari, por pa harruar mbrojtjen, sepse jemi të bindur që malazezët do të luajnë në sulm”, shprehet Magani.
Takimi i sotëm pritet me mjaft entuziazëm nga opinioni sportiv dhe ai qytetar në Vlorë. Mësohet se shitja e biletave ka shënuar një shifër rekord, për një periudhë shumëvjeçare në këtë qytet.
Klubi “Flamurtari” dhe presidenti i tij, Shpëtim Gjika, kanë premtuar premio në vlera të konsiderueshme monetare për skuadrën në rast kualifikimi për në turin tjetër.
Thursday, 07 July 2011 11:15