Vlorë – Skuadra e Flamurtarit u kualifikua për në turin tjetër të Europa League, pavarësisht humbjes ndaj Buduçnostit në takimin e kthimit, që u zhvillua pasditen e sotme në stadiumin e qytetit të Vlorës, që përfundoi me rezultatin 1-2.
Në pjesën e parë të këtij takimi mjaft emocionues, u duk se vendasit do të përsërisnin të njëjtin sukses sikurse edhe një javë më parë në Podgoricë. Kjo u përforcua veçanërisht pas golit të parë dhe të vetëm të kuqezinjve, të cilët arritën të kalojnë në avantazh në minutën e 20-të, përmes Shehajt.
Pjesa e parë përfundoi me rezultatin minimal 1-0, gjë që do të thoshte kualifikim për Flamurtarin që thellonte avantazhin pas fitores 3-1 të arritur në transfertë.
Por, pjesa e dytë e takimit ka nisur më e mirë për miqtë, të cilët duke mos pasur asnjë alternativë tjetër, e hodhën vështrimin më tepër drejt sulmit, gjë që u konkretizua edhe me dy gola të shënuar prej Boshkoviç, i njëjti që kishte shënuar edhe në takimin e parë mes dy skuadrave.
Kjo përmbysje rezultati u shoqërua me mjaft emocione, ndërkohë që malazezët ngulmuan për të arritur barazpeshën.
Por, as minutat e rregullta as edhe ato shtesë, nuk mjaftuan. Takimi përfundoi me rezultatin 2-1 për Buduçnost, por Flamurtari kalon për në turin tjetër për shkak të fitores 3-1 që arriti në transfertë.
Pas kësaj, në stadium nisi festa, e cila u zhvendos edhe në mjediset përpara tij. Sportdashësit vlonjatë festuan për këtë sukses të ekipit të tyre.
Thursday, 07 July 2011 21:12