Situata e tensionuar që shoqëron zakonisht ndeshjet mes Juventusit dhe Fiorentinës pasqyrohet në armiqësinë që kanë tifozeritë e dy skuadrave, të cilat nuk kursejnë asnjëherë njëra-tjetrën. Por kur një futbollist është njëkohësisht edhe tifoz, situata bëhet më problematike pasi shfaqen gjeste aspak të pëlqyeshme për publikun.
Një gjë e tillë ka ndodhur pas ndeshjes së djeshme mes dy skuadrave, ku protagonist ka qenë portieri i “vjollcëve”, Emiliano Viviano, me një të kaluar si ultras i skuadrës së tij.
Në përfundim të ndeshjes, pasi ka parë Borja Valeron të ndërronte fanellën me Andrea Pirlon, lojtari më i mirë për juventinët në këtë sfidë, ai ka shkuar drejt shokut të skuadrës, i ka hequr fanellën nga supi dhe e ka flakur me inat në tokë.
Ky gjest i tij është bërë objekt i menjëhershëm polemikash në rrjetet sociale të tifozëve juventinë, të cilët mendojnë se ky gjest aspak i përshtatshëm duhet të shoqërohet edhe me një ndëshkim ndaj portierit që ka dëmtuar frymën e fair-play. (LajmeShqip.com)
Sunday, 10 February 2013 10:27