Trajneri i Barcelonës, Tito Vilanova, ka bërë të qartë se nuk ka ndër mend që të blejë lojtarë më të gjatë, edhe pse ekipi i tij ka filluar të shfaqë probleme në lojën në ajër, sidomos të goditjet standarde.
Katalanasit u mundën 2-1 nga Sëlltik në Ligën e Kampioneve, ndërsa dukej qartë që skocezët shfrytëzuan në maksimum shtatlartësinë e tyre dhe përgatitjen fizike për të ndalur spanjollët.
“Ne mund të blejmë lojtarë më shtatlartë, por unë dua të argëtohem kur jam në stol dhe kjo është mënyra argëtuese se si luajmë ne me lojtarë të shkurtër e të shpejtë. Kemi vuajtur në goditjet standarde që nga momenti kur nuk kemi më në radhët tona Erik Abidal dhe Seidu Keita, por ne thjesht tani do të mundohemi që të sulmojmë më shumë që të mos i japim mundësinë kundërshtarëve të fitojnë goditje nga këndi”, tha Vilanova para gazetarëve në përfundim të takimit.
“Ajo që duam është të fitojmë dhe kemi bërë maksimumin, por portieri i tyre ishte fantastik dhe topi u përplas dy herë në shtyllë. Ndeshjen e interpretuam mirë dhe jam i lumtur, por topi jo gjithmonë përfundon në rrjetë. Kjo nuk do të jetë as hera e parë dhe as e fundit që ndodh një gjë e tillë. Përfundimi është që do të vazhdojmë të luajmë në këtë mënyrë, duke qenë gjithmonë një skuadër që njihet për mënyrën e saj të lojës. Nuk më pëlqen të humbas, por preferoj që nëse humbim një ndeshje, ajo të jetë si kjo që sapo humbëm”, tha trajneri i Barcelonës. (LajmeShqip.com)
Thursday, 08 November 2012 11:01