Tito Vilanova nuk arrin të shkëputet nga futbolli edhe pse gjendet në Nju Jork për trajtim mjekësor. Dëshira për të qenë në fushën e stërvitjes dhe jo thjesht për të parë gjithçka nga ekrani i televizorit apo kompjuterit, ka shtyrë trajnerin e Barcelonës që për një ditë të vizitojë skuadrën e Nju Jork Red Bulls në stërvitjen e saj.
Atje ai është takuar me trajnerin e këtij ekipi, Majk Petke, si dhe sulmuesin Tierri Henri, të cilin e njeh mirë që nga periudha kur ky i fundit luante me skuadrën katalanase.
“Ishte një nder për ne të kishim këtu Tito që të shihte stërvitjet tona nga afër në stadium”, tha Petke pas kësaj vizite, ku si zakonisht trajneri i Barcelonës nuk ka pranuar të flasë për gazetarët. “Shtrëngimi i duarve dhe një bisedë e shkurtër me të nuk është një nga gjërat që të ndodh çdo ditë. Ishte padyshim një surprizë shumë e bukur për ne. Në emër të të gjithë klubit i uroj Titos shëndet dhe riaftësim sa më të shpejtë pas trajtimit të tij”, ishin fjalët e trajnerit të Nju Jork Red Bulls pas kësaj vizite.
Fakti që Vilanova është shfaqur përsëri në publik që nga koha kur iku në Nju Jork, në mediat spanjolle është interpretuar si sinjal i qartë se trajneri i katalanasve është më pranë riaftësimit të plotë pas trajtimit që po merr në SHBA dhe shumë shpejt pritet të kthehet në Spanjë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 16 March 2013 15:17