Trajneri i Barcelonës, Tito Vilanova, ka bërë të qartë se nuk mendon që kampionati është mbyllur apo është bërë i mërzitshëm, pavarësisht fitores 4-1 ndaj Atletiko Madrid, që ishte edhe kundërshtari më i afërt i katalanasve në renditje.
“Kemi fituar shumë pikë, por nuk ka qenë aspak e lehtë. Na është dashur të luftojmë për të përmbysur ndeshje dhe ndoshta nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë një gjë të tillë edhe në të ardhmen. Kampionati nuk është i lehtë, e padyshim nuk është as i mërzitshëm”.
“Në vitin tim të parë këtu (2008-2009) në ishim 12 pikë larg dhe na u desh të shkonim të fitonim në “Santiago Bernabeu” për të marrë titullin kampion. Tani është një skuadër që është vetëm 9 pikë larg nesh. Nuk mendoj se jemi ne që do ta humbim titullin. Nëse do të jetë një skuadër që merr më shumë pikë dhe na kalon, do të thotë se e ka merituar ajo më shumë këtë titull”, tha Vilanova.
Rivali i tij në këtë sfidë, Diego Simeone, i ka thurur elozhe skuadrës katalanase, e cila sipas tij, ka bërë të mërzitshëm kampionatin dhe është në një nivel më të lartë se “mesatarja”.
“Mua më pëlqeu si luajti ekipi, sidomos në pjesën e parë, pasi shfaqëm armët tona dhe humbëm përballë një ekipi që luan një kampionat ndryshe nga të gjithë të tjerët. A luftojmë për kampionat apo jo, këtë e caktojnë mediat. Mund të them se pjesën më të madhe të ndeshjes e luajtëm cilësisht kundër një Barcelone që është mbi mesataren. Ky kampionat është që tani i mërzitshëm”, tha Simeone, duke aluduar se katalanasit e kanë fituar atë, pa kaluar mirë gjysma e sezonit. (LajmeShqip.com)
Monday, 17 December 2012 12:22