Trajneri i Barcelonës, Tito Vilanova, ka hedhur poshtë krahasimet që i bëhen me paraardhësin e tij shumë të suksesshëm, Pep Guardiola, ndonëse katalanasit në këtë sezon thyen rekordin për fillimin më të mirë të kampionatit me 40 pikë në 14 ndeshjet e para. Rekordi i mëparshëm mbahej nga Real Madrid i sezonit 1961-1962, që kishte realizuar 39 pikë në po kaq javë.
Ndërkohë, nisja më e mirë e sezonit nga Barcelona e Guardiolës ka qenë në vitin 2010, kur ekipi regjistroi 37 pikë në 14 takimet e para, e më pas përfundoi edicionin duke fituar kampionatin dhe Ligën e Kampioneve.
“Ata katër vite nuk do të përsëriten asnjëherë për të gjitha ato që u arritën, për titujt, mënyrën se si luajtëm. Unë ndjehem krenar, pasi edhe unë isha pjesë e kësaj arritje, ndërsa tani kam shumë pak kohë në drejtimin e ekipit”, tha Vilanova pas ndeshjes me Atletik Bilbaon ku skuadra e tij fitoi me rezultatin e thellë 5-1.
“Jam shumë i lumtur që kemi vendosur rekordin e fitoreve, por jam më i kënaqur me mënyrën se si u paraqitën lojtarët, të cilët ditën si të kontrollonin ndeshjen. Edhe pse po fitonim 5-1, i mbajtëm kundërshtarët nën presion për të synuar gola të tjerë. Nëse vazhdojmë kështu, do të jemi të fortë dhe në gjendje të luftojmë për më shumë fitore dhe trofe”, tha tekniku i katalanasve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 02 December 2012 11:01