Tito Vilanova do të qëndrojë në Nju Jork për t’iu nënshtruar një terapie për trajtimin e kancerit dhe për këtë arsye do të qëndrojë larg skuadrës katalanase të paktën edhe për një muaj, sipas asaj që raportojnë mediat e ndryshme.
Ndonëse trajneri është në komunikim të vazhdueshëm me skuadrën e tij duke organizuar çdo seancë stërvitore dhe duke marrë një raportim të plotë të detajuar nga asistenti i tij, Hordi Roura, që po drejton aktualisht ekipin, ai pritet të jetë disi më i shkëputur gjatë këtij muaji për shkak të këtij trajtimi që po merr në një klinikë të specializuar.
Përballë kësaj situate, në Spanjë kanë filluar të lindin debate se mos është e nevojshme që drejtimin e ekipit ta marrë përkohësisht një trajner tjetër, pasi ekipi mund të vuajë nga kjo situatë paqartësie. Por klubi ka konfirmuar se Vilanova mbetet trajner i parë i ekipit, të paktën deri në fundin këtij sezoni ku do të shihet situata edhe në perspektivë.
Nëse problemet shëndetësore të Vilanovës do të vazhdojnë të përsëriten, atëherë duket i pashmangshëm largimi i tij, me emrin e Luis Enrike që qarkullon prej kohësh në ambientet e klubit katalanas, i “sponsorizuar” edhe nga Pep Guardiola që ka punuar me të në akademinë e klubit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 February 2013 10:08