Tito Vilanova është shfaqur sot për herë të parë përpara shtypit që nga nisja e tij në janar drejt SHBA për të kryer një rehabilitim pas përsëritjes së tumorit. Trajneri është pritur me duartrokitje në sallë, ndërsa ka bërë të qartë se kjo konferencë ishte organizuar me qëllimin që të konfirmohej se ai do të ishte në drejtim të Barcelonës në sezonin e ardhshëm.
“E di që pas çdo proçesi të tillë, ka edhe efekte anësore. Por unë ndjehem çdo ditë më i fortë dhe kisha shumë dëshirë që të kthehesha me ekipin dhe të jem edhe me ju. Nga Nju Jorku kam ndihmuar sa më shumë kam mundur pasi edhe doktorët më kanë thënë se gjëja më e mirë që mund të bëja ishte të punoja, ndaj them se do të vazhdoj”, shpjegoi ai.
Më pas ai i është kthyer paraqitjes së skuadrës në këtë sezon dhe fjalëve për fundin e një cikli pas dështimit ndaj Bajern Mynih.
“E kanë thënë shumë herë një gjë të tillë. Por ne na mjaftojnë të fitojmë 2 nga 6 ndeshjet e mbetura në kampionat që të shpallemi kampionë. Brenda një cikli ka pikë të larta dhe të ulëta, është normale. Por ne kemi arritur në 6 gjysmëfinale rradhazi në Ligën e Kampioneve dhe të shkojmë në shtatë do të jetë një çmenduri, thuajse e pamundur të imagjinohet”.
“A besoj te përmbysja ndaj Bajern? Jemi Barcelona dhe luajmë në shtëpi. Nuk do të ishte e besueshme po të vija këtu dhe të deklaroja se është e sigurt se do të bëjmë përmbysjen, por jemi Barcelona dhe kemi një detyrim ta provojmë përballë tifozëve tanë. Më pas do të jetë ndeshja që do të tregojë se si do të shkojnë gjërat. Nuk më duket e drejtë të dorëzohemi para se të luajmë”, ishte mesazhi optimist i Vilanovas. (LajmeShqip.com)
Friday, 26 April 2013 20:00