Tito Vilanova ka shpjeguar në konferencën për shtyp para ndeshjes së Kupës së Mbretit kundër Alavesh që ka vendosur të lërë pushim shumë prej lojtarëve kryesorë të skuadrës, të cilët luajnë pa ndërprerje që në fillimin e sezonit dhe vështirë se do të kenë mundësinë të bëjnë pushim tjetër në mesjavë deri në fundin e tij.
“Do të hedh në fushë ekipin më konkurrues që kam në dispozicion”, tha ai, duke konfirmuar se jashtë listës të të grumbulluarve janë Mesi, Iniesta, Ksavi, Alba, Pedro dhe Valdes. “Kemi disa lojtarë që kanë luajtur më pak minuta për shkak të kërkesave të sezonit, ndaj kemi lënë pushim ata 5-6 lojtarë që kanë patur një ngarkesë më të madhe”.
I pyetur rreth mungesës së lojtarëve si Mesi dhe Iniesta, Vilanova ka bërë të qartë se mungesa e tyre do të jetë shumë e rëndësishme në këtë ndeshje, ndonëse bëhet fjalë vetëm për Kupën e Mbretit.
“Nëse Mesi nuk do të kishte shënuar 50 gola në kampionat një sezon më parë, situata do të kishte qenë padyshim më e keqe për Barcelonën. E përsëris që nuk do të shohim më lojtar si ai. Janë gjëra të ndryshme që e bëjnë të papërsëritshëm, si fakti që kur ka një goditje nga këndi kundër nesh, kthehet 35 metra mbrapa për të mos lënë që kundërshtari të jetë në avantazh 2 kundër 1. Këtë e bën në minutën e fundit kur po fitojmë 5-0, janë të paktë ata që e bëjnë një gjë të tillë”.
“Iniesta? Ai është një shembull i akademisë. Barça do të kujtojë gjithmonë se si i ka mësuar futbollin një lojtari kaq të veçantë si Andres”, tha trajneri i Barcelonës, duke kujtuar se dje u mbushën 10 vjet nga debutimi i lojtarit me ekipin e parë të katalanasve. (LajmeShqip.com)
Monday, 29 October 2012 15:42