“Humbja ndaj Real Sociedad duhet të shërbejë për t’u kujtuar njerëzve se ne nuk jemi të pathyeshëm”. Këto janë fjalët e trajnerit Tito Vilanova pas përfundimit të ndeshjes ku ekipi i tij regjistroi disfatën e parë të sezonit në kampionat, duke pësuar përsëri gol në minutat e fundit të ndeshjes, ashtu si në takimin e Kupës së Mbretit ndaj Malagas në mesjavë.
“Ishte e paevitueshme që ne do të humbnim një ndeshje herët a vonë. Kjo tregon se ka ende shumë rrugë deri në fundin e kampionatit. Edhe pse të gjithë mendojnë se i kemi fituar lehtësisht ndeshjet deri tani, gjërat nuk janë ashtu. Kemi ende shumë ndeshje të vështira para”, tha Vilanova për gazetarët.
Edhe Lionel Mesi është i të njëjtit mendim me trajnerin, po shpreson që kjo humbje ta bëjë ekipin më kërkues para ndeshjes që luhet në mesjavë në fushën e Malagas, ku duhet medoemos fitorja për të kaluar në turin tjetër të Kupës së Mbretit.
“Humbja e një ndeshje do të vinte me kohë. Por na duhet ta marrim menjëherë veten për shkak të ndeshjes së Kupës që na pret”, tha argjentinasi pas takimit.
Ndërkohë, trajneri i Real Sociedad, francezi Filip Montanjer, ka theksuar se fitorja erdhi falë sakrificës dhe pak fati që nevojitet gjithmonë kur luan kundër Barcelonës.
“Lojtarët luftuan për çdo top. E dinim që do të ishte e vështirë për futbollistët qëndruan të fortë psikologjikisht. Barça është një skuadër fantastike, edhe me 10 lojtarë. Ata mund ta luajnë të gjithë kampionatin me 10 lojtarë pa probleme. Nuk ka një recetë për të mundur Barçën, ne fituam vetëm se qëndruam të bashkuar, punuam shumë dhe kishim pak fat”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Sunday, 20 January 2013 14:17