Tito Vilanova ka lëshuar një provokim të qartë në adresë të Zhoze Murinjos, duke sugjeruar se nëse Barcelona e tij do të kishte qenë 18 pikë pas Real Madrid, atëherë atë do ta kishin shkarkuar nga puna, gjë që nuk po ndodh me portugezin.
I pyetur nëse lufta për titull ishte mbyllur dhe se Barça mund ta cilësonte që tani veten kampione, Vilanova është treguar i prerë në komentin e tij për rivalin.
“Jo, por nëse situata do të ishte e anasjella, unë nuk do të gjendesha tani këtu për t’iu përgjigjur pyetjeve”, tha ai, duke lënë të kuptohej se do ta kishin shkarkuar me kohë nga detyra e trajnerit.
“Madridi është në gjendje të fitojë çdo ndeshje në pjesën e dytë të sezonit dhe ne kemi mundësinë që t’i humbim ato pikë që përbëjnë diferencën. Nuk po flasim për katër ndeshje, pasi kanë mbetur edhe shumë të tilla. Unë e di që gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt. Sapo ti humb dy ndeshje, dukesh si një trajner i keq”, ishin fjalët e Vilanovës në konferencën për shtyp para ndeshjes së Kupës së Mbretit ndaj Malaga. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 16 January 2013 10:53