Tito Vilanova ka bërë të qartë se Dani Alvesh nuk është në shitje dhe se nuk ka patur asnjëherë debat brenda klubit rreth situatës së tij. Futbollisti deklaroi dy ditë më parë se ai ishte mërzitur që Barcelona nuk i kishte dalë në mbrojtje kur emri i tij ishte përmendur si një nga ata lojtarë që do të largoheshin nga skuadra gjatë merkatos së verës.
“Nuk ka patur asnjëherë debat rreth tij apo me të në klub. Nëse ai do të kishte patur dyshime do të kishim folur me njëri-tjetrin, ashtu siç do të bëjmë në të ardhmen nëse do të ketë ndonjë gjë për të sqaruar. Dani Alvesh është mbrojtësi më i mirë i krahut të djathtë në botë, një nga blerjet më të mira që ka bërë Barcelona në vitet e fundit dhe një nga futbollistët që ka më shumë ndikim në lojën e ekipit”, tha trajneri i Barcelonës, i cili më pas foli edhe për emra të tjerë të skuadrës, duke theksuar se për momentin nuk ishte diskutuar as një largim i mundshëm i Afellai.
Më pas, Vilanova ka bërë të qartë se ai do të dalë në mbrojtje të Barcelonës sa herë që të sulmohet nga kundërshtarët, jo vetëm nëse ky kundërshtar mban emrin Real Madrid.
“A do të mbroj Barçën nga sulmet e Realit? Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Por është e qartë se do të dal në mbrojtje të Barçës përballë kujtdo, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë të përqendroheshim të ajo që ndodh në fushën e lojës. A e krahasoj veten me Guardiolën? Këto katër vitet e fundit mendoj se kam patur një rol të rëndësishëm në skuadër dhe nuk kam patur kohë për të humbur duke u marrë me mendime të tilla”, u shpreh Vilanova. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 25 July 2012 11:49