Portieri i Barcelonës, Viktor Valdes, ka lënë të kuptohet se është i interesuar për një transferim të mundshëm në radhët e një skuadre angleze pasi të largohet nga katalanasit. Futbollisti 31 vjeçar nuk ka rinovuar me klubin dhe mendohet se do të largohet gjatë kësaj vere, duke ngjallur interesimin e shumë klubeve të njohura, mes të cilave edhe Arsenalit.
“Sigurisht që më pëlqen kampionati anglez”, tha Valdes për revistën e njohur “FourFourTwo”. “Mua më pëlqen respekti i tifozëve ndaj futbollistëve në Angli. Ajo është një mënyrë tjetër e të jetuarit me futbollin. Ata duartrokasin edhe për një ndërhyrje të thjeshtë. Ne nuk jemi mësuar me një gjë të tillë, por mua më pëlqen kjo sjellje”, tha ai.
Valdes, i cili ka luajtur më shumë se 350 ndeshje me fanellën e Barcelonës, ka pranuar se është i kënaqur me karrierën e shkëlqyer me katalanasit, por kërkon një eksperiencë të re dhe të ndryshme.
“Unë kam kaluar një kohë të shkëlqyer këtu, më pëlqen shumë Barcelona. Unë do të kthehem gjithmonë këtu, por unë kam këtë punë të shkëlqyer që më lejon të udhëtoj dhe mua më pëlqen shumë të udhëtoj. Unë dua të provoj kultura të reja, futboll tjetër, sfida të reja”, shpjegoi portieri spanjoll. (LajmeShqip.com)
Friday, 05 April 2013 11:33