Andre Vijas Boas insiston se Fernando Torres nuk ka një problem psikologjik kundrejt Didier Drogba. Ish-trajneri i Çelsit, Karlo Ançeloti, deklaroi një ditë më parë se spanjolli që kushtoi 50 milionë stërlina, kishte dështuar falë pranisë së Drogba dhe mendonte se e vetmja mënyra për ta ringjallur ishte të shitej sulmuesi nga Bregu i Fildishtë.
“Unë respektoj mendimin e Ançelotit por nuk e shoh në të njëjën mënyrë. As nuk më shkon ndërmend të shes Drogba gjatë merkatos së janarit, unë i besoj atij për atë që përfaqëson si lojtar dhe si imazh”.
“Po flasim për dy prej lojtarëve më të mirë në botë dhe do të ishte e padrejtë të dilnim në përfundimin se Didier po ushtron personalitetin e tij mbi Fernandon. Në një rast të tillë do të kishim të bënim me një dobësi mendore apo psikologjike, por gjërat nuk janë kështu. Në një klub të përmasave tona, duhet të tregosh gjithmonë se je më i mirë dhe të luftosh për vendin në formacion”, deklaroi trajneri i Çelsit.
Sipas tij, lojtari është në formë të shkëlqyer dhe për këtë arsye do të jetë titullar në ndeshjet në vazhdim. “Në fillim të sezonit, Didier ishte në formë më të mirë prandaj aktivizohej titullar. Tani ne kemi përsëri Fernandon, i cili është në formë të shkëlqyer pasi po bën maksimumin për skuadrën dhe po krijon rrezikshmëri në portën kundërshtare. Nuk më interesojnë statistikat, për sa kohë që Torres punon për ekipin. Çfarë duhet të themi për Xheko që ka shënuar një tufë me gola por është zëvendësuesi i Agueros?” ishin fjalët e portugezit. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 January 2012 12:47