Trajneri i Totenhemit, Andre Vijas Boas, ka sulmuar përsëri Çelsin, vetëm një ditë para sfidës ndaj ish-skuadrës së tij, një ndeshje që me shumë mundësi do të rezultojë vendimtare për fatin e dy skuadrave dhe luftën e tyre për të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve në edicionin e ardhshëm.
Sipas trajnerit portugez, lojtarët e Totenhemit i kanë qëndruar besnikë atij dhe kanë qenë shumë të hapur ndaj ideve të reja, në kundërshtim me blutë, të cilët ai i drejtoi për pak muaj një vit më parë, i shkarkuar para kohe nga presidenti Roman Abramoviç.
“Ky sezon ka qenë mjaft i mirë për mua, këtu kam gjetur një ambient fantastik. Ishte diçka pozitive që u ktheva në Angli edhe pas asaj që ndodhi vitin e kaluar. Jam pritur mirë, sidomos nga ky grup lojtarësh, ambiciet e të cilëve për sukses kanë qenë të jashtëzakonshme. Gjithçka është shumë më e lehtë kur lojtarët e tu kanë prirje të ndjekin idetë, janë të aftë të mësojnë gjëra të reja”, shpjegoi Vijas Boas.
Portugezi pranoi se ka mësuar shumë nga gabimet që bëri te Çelsi, ku mendohet se ideja e tij për të zëvendësuar menjëherë veteranët si Drogba, Lampard dhe Terri me futbollistë të rinj, ishte pjesë e dështimit të tij.
“Eksperiencat në drejtimin e Çelsit dhe Totenhem janë krejtësisht ndryshe dhe unë kam mësuar një leksion të mirë nga ajo që ndodhi një vit më parë. Ka gjëra që i bëj krejtësisht ndryshe tani, por edhe gjëra që vazhdoj t’i aplikoj njëlloj, pasi duhet t’i qëndrosh gjithmonë besnik parimeve të tua”, tha Vijas Boas i cili shpreson t’i shkaktojë një problem të madh Çelsit duke e mundur dhe duke i rrëmbyer vendin e tretë në klasifikim, për të siguruar sa më parë pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 07 May 2013 10:33