Andre Vijas-Boas ka konfirmuar se Çelsi është shumë pranë blerjes së Kevin de Bruyn, por ka pranuar se mesfushori i Genkut që kushton 9 milion paund, nuk është një përzgjedhje personale e tij.
De Bruyn, i cili pritet të nënshkruajë një kontratë prej 5 vitesh e gjysmë, ka qenë prej kohësh një objektiv i klubit londinez.
“Ai është një objektiv i vendosur nga klubi. Klubi ka kohë që e ndjek atë dhe unë jam një trajner që respekton politikat e klubit”.
“Një klub duhet të shohë drejt të ardhmes, qoftë ajo me një trajner apo një tjetër. Ai është një bast i mirë për të ardhmen dhe unë do të bëj atë që kam mundësi për ta ndihmuar të arrijë maksimumin si futbollist”, ishin fjalët e Vijas-Boas.
Çelsi është vënë tashmë në ndjekje të një tjetër adoleshenti, mesfushorit brazilian Lukas Moura, i cili vlerësohet rreth 30 milionë paund nga Sao Paulo.
Por këto blerje pa miratimin e Vijas-Boas kanë bëre që të lindin dyshime se merkatoja e klubit po bëhet nga një person i tretë, i cili do të zërë vendin e portugezit në stolin e kësaj skuadre në fund të këtij sezoni. (LajmeShqip.com)
Sunday, 29 January 2012 11:05