Trajneri i Totenhemit, Andre Vijas Boas, ka konfirmuar se transferimi i mesfushorit kroat Luka Modric te Real Madrid do të mbyllet brenda pak ditësh. Lojtari kërkon prej kohësh të transferohet te kampionët e Spanjës, por marrëveshja është në vendnumëro për shkak të kërkesës së lartë prej 40 milion paund të drejtuesve anglezë për të lënë të lirë futbollistin.
“Drejtuesit më kanë thënë që bisedimet vazhdojnë. Ata po bëjnë progres dhe situata do të zgjidhet brenda dy ditëve të ardhshme”, tha trajneri që ka konfirmuar se shpreson që të ketë sa më parë në dorë të ardhurat e siguruara nga shitja e Modriç, për t’i investuar në afrimin e lojtarëve të tjerë.
Por ai deklaroi se klubi i tij nuk po mendon të blejë Leandro Damiao nga Internacional pasi për momentin ka sulmues të mjaftueshëm.
“Nuk besoj se do të bëjmë ofertë për të. Me Adebajor, Defo dhe Kein në skuadër, mendoj se kam alternativa të mjaftueshme për sulmin. Damiao sigurisht që është një lojtar fantastik por ai nuk është objektivi ynë për momentin, pasi mendoj se jemi të plotësuar përsa i përket sulmuesve”. (LajmeShqip.com)
Friday, 24 August 2012 08:40