Andre Vijas Boas do të kërkojë “garanci” nga Totnehemi para se t’i kthejë përfundimisht një përgjigje negative skuadrës së PSZH që kërkon ta bëjë atë pasuesin e Karlo Ançelotit. Mediat angleze insistojnë se tekniku portugez do të zhvillojë këtë javë një takim me drejtuesit e klubit, ku do t’u kërkojë qëndrimin e Garet Beil si dhe mundësinë e zhvillimit të një merkatoje cilësore për sezonin e ardhshëm.
Trajneri ka mundësinë të largohet kurdo nga londinezët, për sa kohë që klubi i tij ri apo ai vetë paguan 10 milion paund, që është klauzola e largimit në kontratën e tij. PSZH është në gjendje të paguajë pa problem këtë shifër, ndaj duhet thjesht që Vijas Boas të hedhë poshtë ofertën e tyre.
Ndaj Totenhemi po bën të pamundurën për të mbajtur këtë trajner, që sipas tyre mund të kthejë klubin jo vetëm në majën e futbollit anglez, por edhe në elitën e futbollit evropian.
Kërkesa kryesore e trajnerit është që ylli i skuadrës, Garet Beil, të ketë një partner të denjë në repartin e avancuar, ku aktualisht mungojnë alternativat, me londinezët që tashmë i kanë vënë syrin dy spanjollëve, Vija e Soldado, si dhe brazilianit Leandro Damiao.
Një tjetër futbollist që po ndiqet me vëmendje është mesfushori Paulinjo i Korinthians, për të cilin është bërë një ofertë prej 15 milion paund për të mundur konkurrencën e Romës dhe Interit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 18 June 2013 08:07