Trajneri i Totenhemit, Andre Vijas Boas, mendon se Pep Guardiola ka lënë një trashëgimi që do të zgjasë në historinë e futbollit botëror. Spanjolli udhëhoqi Barcelonën drejt 14 trofeve brenda 4 viteve, duke u bërë ndër trajnerët më të suksesshëm në historinë e këtij klubi.
Ndërsa trajneri portugez, ish-ndihmësi i Zhoze Murinjos, mendon se puna që ai ka bërë është një revolucion i mirëfilltë i mentalitetit të futbollit.
“Guardiola vendosi standardin që duhet të ndjekin të tjerët. Njerëzit respektojnë stilin e lojës, filozofinë e futbollit dhe vlerat që ai krijoi”, u shpreh portugezi. “Barcelona luan futboll të shpejtë, që mund të jetë njëkohësisht edhe i ngadaltë. Lojtarët marrin gjithmonë vendimin e duhur kur kanë topin”.
Ai nuk ka harruar të vlerësojë edhe mësuesin e tij, Zhoze Murinjon, me të cilin ka punuar te Çelsi dhe te Inter, duke i dhënë një rëndësi shumë të madhe ndihmës që i dha trajneri aktual i Real Madrid për t’u zhvilluar në një teknik të afirmuar në arenën ndërkombëtare.
“Të punoja me Murinjon ka qenë eksperienca më e mirë në mësim, më ka ndihmuar shumë. Por nuk pata të njëjtin fat si ai te Çelsi. Nuk kisha mundësinë të bëja gjërat e duhura kur kishte ende kohë, thjesht gjërat nuk shkuan siç duhej”, përfundoi portugezi që po mundohet të afirmohet në futbollin anglez duke drejtuar Totenhemin. (LajmeShqip.com)
Sunday, 06 January 2013 09:46