Totenhemi duket se ka vendosur me çdo kusht të mbajë Garet Beil, cilado qoftë oferta që mund të marrin për futbollistin në fjalë. Këtë qëndrim e ka saktësuar më së miri Andre Vijas Boas, i cili nuk ka ngurruar të deklarojë për mediat në Portugali se Beil nuk do të largohet.
Beil është objektivi kryesor i merkatos së Real Madrid, ndonëse Florentino Penez ka bërë të qartë se nuk do të ndërhyjë dhe do të presë klubin anglez derisa ky i fundit të vendosë ta shesë, pasi ka miqësi me drejtuesit e kësaj skuadre. Por duket se shpresat e Realit për këtë sezon janë ulur shumë.
“Kemi një akord me presidentin e klubit që Beil nuk do të largohet nga skuadra”, tha portugezi. Por sipas mediave spanjolle, të gjithë këto deklarata mund të shërbejnë njëkohësisht edhe për të rritur më shumë çmimin e lojtarit, pasi uellsiani vazhdon të ëndërrojë të luajë si protagonist në Ligën e Kampioneve, një aktivitet ku ka luajtur vetëm një herë në karrierën e tij dhe të Totenhemi ka pak shanse që ta përsëritë në vazhdimësi.
Nga ana tjetër, pikërisht këto premtime të drejtuesve të Totenhem mund të kenë bindur Vijas Boas që t’i thotë jo ofertës së PSZH, ku do të përfitonte edhe më shumë ekonomikisht. Ata i kanë bërë të qartë portugezit se në rast se qëndron, bashkë me Beil, do të afrohen edhe lojtarë të tjerë cilësorë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 20 June 2013 15:17