David Vija ka bërë të qartë se qëndrimi apo jo i tij në radhët e Barcelonës në sezonin e ardhshëm, do të bëjë shumë me planet e klubit për ta aktivizuar si titullar apo jo.
“Në futboll situata ndryshon brenda pak sekondash. Por unë jam i lumtur këtu, pasi njerëzit e njohin punën time dhe unë po shfrytëzoj çdo minutë që më jepet në fushë. Megjithatë, në fillim jam ndjerë pak i shqetësuar kur shihja se kishte oferta për mua. U fol për Arsenalin, por klubi nuk dëshironte që unë të largohesha. Unë jam mirë këtu, nëse luaj”, ishte mesazhi i qartë i sulmuesit që kërkon tani të jetë protagonist në lojën e katalanasve pasi ka lënë plotësisht pas dëmtimin e gjatë që e mbajti një vit larg fushave të lojës.
Sulmuesi që ka shënuar 8 gola në kampionat, 1 në Ligën e Kampioneve dhe 5 në Kupën e Mbretit në këtë sezon, mendon se nuk ka probleme pozicioni në fushë, mjafton që të luajë.
“Nuk kam probleme me çdo pozicion, në të djathtë apo të majtë, më i hapur apo në qendër. Jam i lumtur kudo që të luaj dhe mendoj se i jap ekipit në çdo pozicion. Por të gjithë e dinë që sa më afër zonës së rreptësisë ta vendosësh David Vijan, aq më shumë dëm bën ai”, ishte komenti humoristik i sulmuesit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 20 April 2013 09:04