Kapiteni i Mançester Junajtid, Nemanja Vidiç, ka pranuar se ishte me fat që shpëtoi pa u ndëshkuar me penallti në fitoren e skuadrës së tij ndaj Gallatasarajit.
Mbrojtësi mund të kishte komplikuar shumë situatën për ekipin anglez që në minutën e parë, kur rrëzoi Umut Bulut brenda zonës së tij. Pavarësisht protestave të lojtarëve turq, gjyqtari gjerman Volfgang Stark vendosi që loja të vazhdonte dhe pak minuta më vonë, Mançester Junajtid shënoi golin e vetëm të ndeshjes me anë të Kerrik.
“Mendoj se shkaktova penallti. Ishte një situatë e vështirë për gjyqtarin, ishte e vështirë për të që ta shihte aksionin. Mendoj se duhej të kishim patur një penallti kundër që në fillim, por në përgjithësi e merituam të fitonim sfidën”, tha mbrojtësi.
“Shënuam gol në momentin e duhur, por pastaj ishim nervozë për 10-15 minuta, në pjesën e dytë ishim më të fortë. Por ndeshja e parë në Ligën e Kampioneve është gjithmonë e vështirë. Ne e filluam mirë, por pas kësaj bëmë disa gabime dhe i krijuam vetes probleme. Situata u tensionua në fund, pasi mbrojtëm pak më shumë se sa dëshironim, por gjëja kryesore është se morëm 3 pikët”, përfundoi Vidiç. (LajmeShqip.com)
Thursday, 20 September 2012 10:01