Arsen Venger ka hedhur poshtë mundësinë e shitjes së Teo Uollkot, duke bërë të qartë se lojtari do të qëndrojë me “topçinjtë” të paktën deri në fund të sezonit edhe nëse nuk rinovon kontratën me klubin.
Marrëveshja aktuale mes palëve përfundon në qershor të vitit 2013, por bisedimet për rinovimin kanë ndeshur në pengesa të vazhdueshme, pasi lojtari i kombëtares angleze jo vetëm që kërkon përmirësim të kushteve ekonomike, por kërkon edhe një rol më kryesor në skuadër, mundësisht si sulmues.
“A do iki ai në janar? Jo! A do të qëndrojë deri në fund të sezonit? Po! Nëse do të dëgjoja mediat, ky futbollist do të bëhej i shtrenjtë çdo ditë e më shumë. Por bisedimet tona vazhdojnë në mënyrë pozitive, kemi kohë deri në dhjetor për të sqaruar gjithçka”, tha trajneri i Arsenalit.
“Uollkot mund të luajë në të dy pozicionet. Ai mund të luajë si sulmues, por mund të luajë edhe përkrah Zhirud. Njëkohësisht ai ka arritur të gjejë një kombinim të mirë edhe në krahun e tij, duke u kthyer në një futbollist që është vështirë të ndalet. Ai e mbylli ndeshjen si sulmues qendre dhe arriti të shënonte”.
“Me mesfushën që kemi me Uilshair, Arteta dhe Kazorla, ata arrijnë të të gjejnë ty në çdo pozicion nëse lëviz mirë”, shpjegoi Venger duke iu referuar ndeshjes së fundjavës ndaj Totenhem. (LajmeShqip.com)
Monday, 19 November 2012 14:10