Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, beson se tifozët do të respektojnë Robin Van Persin në atë që është ndeshja e tij e parë në “Emirates Stadium” që nga largimi gjatë verës së kaluar për t’iu bashkuar Mançester Junajtid. Lojtari që kushtoi 24 milion paund, ishte ylli i këtij sezoni për “djajtë e kuq”, duke shënuar 24 gola në kampionat, që ndihmuan ekipin e Aleks Ferguson të fitonte titullin e 20-të kampion.
Arsenali do të organizojë rreshtimin e nderit në hyrjen në fushë të kampionëve të saposhpallur, siç është tradita, ndërsa mendohej se shumë tifozë do t’i kthenin shpinën fushës gjatë këtij momenti, në shenjë proteste ndaj Van Persit. Por Venger beson se publiku do ta mirëpresë ish-kapitenin e skuadrës së tij.
“Ne do të respektojmë lojtarët që kanë luajtur për një kohë të gjatë me ne ashtu siç kemi bërë gjithmonë, ndërsa do t’i trajtojmë mirë si para, ashtu edhe pas ndeshjes. Nëse vijnë këtu si kampionë apo jo është krejtësisht e njëjta gjë”.
“Ajo që pres unë është një ndeshje e mirë nga ana jonë dhe t’i mundim, nuk më intereson se me cilin status vijnë në fushën e tonë”, deklaroi Venger, duke bërë të qartë se “topçinjtë” do të vazhdonin rrugën e tyre drejt vendit të 3-të apo të 4-t që garanton pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Thursday, 25 April 2013 18:32