Arsen Venger ka bërë të qartë se personit të cilit i frikësohet më shumë në ndeshjen e fundjavës mes Arsenalit të tij dhe Çelsit, është Fernando Torres. Sipas tij, largimi i Didier Drogba nga radhët e rivalëve londinezë ka ndihmuar spanjollin të rigjejë vetveten.
“Përballemi me Çelsin në fundjave dhe mendoj se largimi i Didier Drogba ka zgjuar Fernando Torres. Shihet në sjelljen e tij, në mënyrën se si luan, tani ka më shumë besim te gjërat që merr përsipër të bëjë. Shihet në lojën e tij që Drogba është larguar”, shpjegon Venger në artikullin e tij të përjavshëm në “Europsort”.
“Për mua ka vetëm një shpjegim për problemet me të cilat ai u përball kur erdhi te Çelsi: Didier Drogba. Drogba është një lojtar i fortë psikologjikisht. Meqë është një lojtar i madh, është në gjendje të imponojë veten edhe në dhomat e zhveshjeve”.
“Torres erdhi te Çelsi me dy handikape shumë të mëdha. E para ishte se u përball menjeherë me Drogba dhe me historinë që kishte shkruar ky i fundit te klubi i Çelsit. E dyta është se erdhi me peshën e 50 milion paund që kushtoi transferimi i tij, që shtyn njerëzit të presin shumë prej teje menjëherë”.
“Nuk është e lehtë të jetosh me këto. Mendoj se ka qenë shumë e vështirë për Torres, pasi nëse nuk shënon për dy ndeshje radhazi, e di që ke Drogba në stol dhe ai do të kthehet. Por Çelsi nuk kishte vetëm Drogba por edhe Lampard, Kol, Terri. Është e gjithë armata e vjetër e Çelsit dhe nuk është e lehtë t’i largosh lojtarë të tillë nga formacioni. Por në fund, nëse ke klas dhe talent, koha bën gjithmonë diferencën. Kjo është arsyeja pse i frikësohem dhe pse nuk do të habitesha nëse Torres do të kalonte një sezon të shkëlqyer”, shpjegoi Venger. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 25 September 2012 15:53