Arsen Venger ka shuar entuziazmin e tifozëve të Arsenalit, duke hedhur poshtë zërat se klubi ka bërë një ofertë për blerjen e Uejn Runit. Sipas mediave angleze, lojtari që kërkon largimin nga Mançester Junajtid, do të ishte dakord për të kaluar te “topçinjtë” gjatë verës.
“Ne për momentin po interesohemi vetëm për ndeshjen tonë në Njukasëll të dielën. Nuk kemi shfaqur interes ndaj askujt, nuk e di nëse Junajtid do të shesë Runin. Kjo është shenja më e mirë për të treguar se nuk kemi bërë asnjë hap për të firmosur me të. Gjëja e parë që duhej bërë do të ishte telefonata ndaj Junajtid, gjë të cilën ne nuk e kemi bërë”, shpjegoi trajneri francez.
Megjithatë, edhe pas kësaj deklarate, mediat angleze kanë vazhduar të spekulojnë se Venger është gati të bëjë lëvizjen e tij sapo të përfundojë sezoni, pasi një sulmues si Runi është pikërisht ajo që i nevojitet “topçinjve”. Klubi ka vënë 70 milion paund në dispozicion të trajnerit për merkaton e verës dhe duket se këtë radhë francezi do të ndërhyjë fuqishëm në skuadër, duke ndërruar tendencën e viteve të kaluara ku klubi i tij vetëm largonte lojtarët më të mirë. (LajmeShqip.com)
Friday, 17 May 2013 19:09