Arsen Venger ka hedhur poshtë zërat që e shohin atë të shkojë te PSZH në fund të këtij sezoni, në vend të Karlo Ançelotit. Francezi ka bërë të qartë se jo vetëm dëshiron që të drejtojë për vitin e 18-të radhazi në Londër, por mundësisht të zgjatë qëndrimin e tij.
“Unë i jam përgjigjur edhe më parë këtyre pyetjeve, unë i respektoj kontratat. Dua të qëndroj, edhe pas vitit 2014. Nëse unë bëj mirë dhe unë apo klubi mendojmë se gjërat kanë shkuar siç duhet, gjithçka është në rregull. Unë dua që ky klub të shfaqet sa më mirë. Kemi kaluar një periudhë mjaft të ndjeshme nga e cila jemi larguar tani dhe jemi në një pozicion të fortë për të ardhmen”, shpjegoi Venger, duke iu referuar faktit se klubi kishte shlyer borxhet që mori për të ndërtuar stadiumin ri, që penalizoi mjaft mundësitë e ndërhyrjes në merkato për shumë vite me radhë.
“Tani ne duhet të përqendrohemi ndeshje pas ndeshje. Çdo ndeshje na vë përballë problemeve të ndryshme që duhen zgjidhur. Ndaj ne po përqendrohemi vetëm te ndeshja e të shtunës dhe paraqitja që do të japim aty. Kemi një ecuri të mirë por duhet të mbajmë kokën ulur dhe të vazhdojmë të punojmë”, deklaroi trajneri i Arsenalit. (LajmeShqip.com)
Friday, 03 May 2013 19:32