Arsen Venger mendon se do të ishte një katastrofë nëse Arsenali nuk kualifikohet në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
“Topçinjtë” kanë pësuar dy humbje radhazi dhe tani janë 4 pikë pas Çelsit që mban vendin e fundit për pjesëmarrjen në kompeticion. Nën drejtimin e Venger, Arsenal ka luajtur për 14 sezone radhazi në Ligën e Kampioneve.
“Për mua do të ishte katastrofë, pasi dua që të luaj gjithmonë kundër më të mirëve. Ne duam të jemi aty, mes katër skuadrave më të mira dhe të luajmë në Ligën e Kampioneve, ndërsa çdo gjë tjetër nuk do të ishte mjaftueshëm mirë”, tha tekniku francez
Nëse Arsenali mundet nga Mançester Junajtid në sfidën e të dielës, ata do të shkëputeshin edhe më tepër nga skuadrat e kreut. Megjithatë, Venger fokusohet te gjërat pozitive.” Ju reflektoni frikën e tifozëve, por edhe e krijoni atë”, ishte kritika e Venger ndaj gazetarëve.
Ai përfundoi duke thënë se pasi të linte trajnimin mund të bëhej komentator televiziv, pasi nuk jetonte dot pa futbollin. (LajmeShqip.com)
Saturday, 21 January 2012 11:41