Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ka bërë të qartë se shpreson që Teo Uollkot të nënshkruajë një rinovim me klubin, por njëkohësisht ka paralajmëruar se drejtuesit mund të vendosin ta shesin në janar nëse nuk kanë arritur një marrëveshje deri atëherë.
23 vjeçari është në vitin e fundit të kontratës së tij ekzistuese me klubin londinez, por nuk ka rënë ende dakord për një zgjatje të kontratës së tij, me diskutimet që kanë mbetur në vendnumëro për shkak të detajeve ekonomike të marrëveshjes.
Venger bëri të qartë se nuk do të dëshironte kurrë të shiste futbollistin të cilin e bleu nga Sauthempton kur ishte vetëm 16 vjeç, por pranoi se ky ishte një eventualitet para situatës ekzistuese.
“Unë vazhdoj të shpresoj se do të nënshkruajmë rinovimin me të dhe dy muajt e ardhshëm do të jenë jetësorë pasi pas tyre, sa më shumë që zgjat situata, aq më e vështirë bëhet. Të shpresojmë që të gjejmë një zgjidhje brenda këtyre dy muajve”, tha ai.
“A do e shesim në janar? Varet nga nevojat e skuadrës dhe klubit. Mund ta shesim, por edhe mund ta përballojmë faktin që ta mbajmë deri në fund të kontratës ekzistuese edhe nëse më pas largohet si lojtar i lirë”, tha Venger. (LajmeShqip.com)
Saturday, 22 September 2012 11:40