Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ka hedhur poshtë zërat për një transferim të menjëhershëm të Jan M’Vila në radhët e skuadrës që drejton, por bëri të ditur gjithashtu se një lëvizje e tillë do të bëhej vetëm nëse Uilshair dhe Diabi do të rishfaqnin problemet e sezonit të kaluar.
Dy mesfushorët e Arsenalit humbën të gjithë sezonin e kaluar për shkak dëmtimesh dhe kjo ishte arsyeja pse Venger po mendonte që të afronte M’Vila, një nga yjet e rinj të mesfushës së përfaqësueses franceze të futbollit. Por tani situata ka ndryshuar, edhe pse vetë futbollistit ka shprehur dëshirën që të realizohet një lëvizje e tillë drejt Anglisë.
“Jo, nuk jam i interesuar për transferimin e tij. Po të shohësh mirë, ne kemi Song, Kokelin, Uilshair, Arteta dhe Diabi në qendër të mesfushës. Nëse të gjithë kthehen nga dëmtimet dhe nuk kanë probleme, jemi në rregull. Nëse dëmtimet i përsëriten, vetëm atëherë situata mund të ndryshojë”, tregoi Venger për faqen e internetit të klubit.
Sipas Venger, “blerja” më e mirë e këtij sezoni është pikërisht kthimi i Diabi në mesfushën e skuadrës së tij, pasi 24 vjeçari është një nga lojtarët më të talentuar në qarkullim.
“Nuk e imagjinoni se sa i lumtur jam që Diabi është kthyer të jetë pjesë e ekipit pasi ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. Ai është zgjedhja e parë ne mesfushën e kombëtares së Francës kur është në gjendjen e tij më të mirë fizike. Këtë e tha edhe Loran Blank para Evropianit, ku priti deri në sekondën e fundi për të parë nëse riaftësohej apo jo”. (LajmeShqip.com)
Monday, 23 July 2012 13:56