Arsen Venger ka pranuar se nuk do të refuzonte kurrsesi mundësinë për të firmosur me Uejn Runin, i cili kërkon të largohet nga Mançester Junajtid gjatë merkatos së verës. Mediat angleze kanë raportuar prej kohësh se londinezët janë të interesuar për futbollistin, pasi tani kanë mundësitë financiare për të gjetur një akord me të dhe për të paguar edhe një transferim nga ana e Mançester Junajtid.
“Runi do të ishte një lojtar interesant për këdo në botë, kush do ta hidhte poshtë mundësinë për ta blerë?”, ishte deklarata e Venger për Al-Xhazira.
“Puna e parë e David Mojes te Mançester Junajtid është të eliminojë mosmarrëveshjet mes tij dhe Runit. Nëse kjo mund të arrihet apo jo, varet nga personaliteti i tij dhe nëse Runi mban apo jo inat. Do të presim të shohim sesi do të përballohet kjo situatë”, tha ai.
Venger ka folur edhe për një futbollist tjetër që e njeh shumë mirë, mesfushorin spanjoll Çesk Fabregas, i cili ka një klauzolë prej 25 milion eurosh për t’u kthyer në radhët e londinezëve nëse dëshiron të largohet nga Barcelona.
“Mendoj se atij por momentin i mungon besimi i një lojtari titullar. Kohët e fundit, ai nuk ka qenë i tillë. Kur rri duke luajtur një herë po e një herë jo, nuk luan kurrë me besim të plotë te vetja”, shpjegoi tekniku francez. (LajmeShqip.com)
Monday, 03 June 2013 14:13