Menaxheri i Arsenalit, Arsen Venger ka konfirmuar se Tierri Henri do të nënshkruajë një marrëveshje dymujore me Arsenalin në qoftë se marrëveshja pranohet nga Nju Jork Red Bulls.
Henri është stërvitur me Arsenalin që nga përfundimi i sezonit në MLS dhe nuk është e nevojshme që të kthehet në Shtetet e Bashkuara deri në mars.
Venger tha: “Marrëveshja me siguri do të ndodhë, mirëpo ende nuk është përfunduar. Në këtë moment ne nuk mund të njoftojmë asgjë sepse nuk janë gati të gjitha dokumentet”.
Ai shtoi: “Ai ka përvojë dhe cilësi. Ai e di se mund të ndihmojë klubin dhe lojtarët në fushë dhe jashtë. Ai ka talent të jashtëzakonshëm dhe është një njeri shumë inteligjent, ai mund të jetë shumë pozitiv”.
Henri mund të paraqitet në shtatë ndeshje në Premier League, duke përfshirë edhe takime të rëndësishme kundër Mançester Junajtid dhe Totenhem, si dhe FA Cup dhe ndeshjen e parë të Ligës së Kampioneve që Arsenali e zhvillon kundër AC Milan. (LajmeShqip.com)
Friday, 30 December 2011 14:46