Arsen Venger është ndër trajnerët që mendon gjithmonë më parë të kursejë sesa të shpenzojë. Por gjatë kësaj vere, menaxheri i Arsenalit po mendon më shumë sesi të blejë lojtarë, ndërsa deri tani ka siguruar firmat e rëndësishme të Lukas Podolski dhe Olivier Zhirud.
Por meqë nga skuadra pritet të largohet shumë shpejt Robin Van Persi, Venger ka rifilluar kërkimin për një tjetër lojtar të repartit të avancuar. Sipas asaj që raportojnë mediat angleze, dy objektivat e tij për momentin janë sulmuesi i Atletik Bilbao, Fernando Lorente si dhe mesfushori brazilian i Santos, Ganso.
Për Lorente, lëvizja mund të bëhet vetëm nëse largohet Van Persi, nga i cili Arsenali pritet të përfitojë 20 milionë paund apo më shumë. Sulmuesi i Spanjës ndërkohë, ka një klauzolë me 28 milion paund për t’u larguar nga Atletik Bilbao.
Në të njëjtën kohë, Arsenali po mendon të bëjë një ofertë prej 15 milion paund për Ganso, i cili duket se ka prishur përfundimisht marrëdhëniet me drejtuesit e klubit të Santos dhe dëshiron të transferohet sa më parë në Evropë. Për këtë futbollist ka një konkurrencë mjaft të ashpër nga Porto dhe klubet italiane. Megjithatë, Venger është i bindur se mund t’ia mbushë mendjen futbollistit të transferohet në radhët e skuadrës së tij, duke i premtuar atij rolin e liderit në të ardhmen, pas largimit të Van Persit. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 July 2012 10:58