Arsen Venger po mendon të bëjë një ofertë për të siguruar shërbimet e sulmuesit Tierri Henri brenda javës së ardhshme. 
Trajneri francez dëshiron të rikthejë në formë huazimi sulmuesin legjendar të topçinjve në radhët e Arsenalit, ndërsa do t’i duhet t’i mbushë mendjen si futbollistit, ashtu edhe skuadrës amerikane të Nju Jork Red Bulls ku ai aktivizohet aktualisht.
Lojtari është stërvitur me Arsenalin që prej përfundimit të kampionatit amerikan të futbollit dhe do të qëndrojë deri në muajin prill inaktiv, kur kampionati të rifillojë përsëri.
Për këtë arsye, Arsenali mund ta marrë atë në huazim, ashtu siç veproi Milani dy sezone më parë me Devid Bekam.
Trajneri bëri të qartë se kjo do të ishte zgjidhja ideale për skuadrën, duke patur parasysh se gjatë janarit nuk do të ketë në dispozicion sulmuesit Çamak dhe Gervinjo për shkak të ndeshjeve të Kupës së Afrikës.
“Huazimi afatshkurtër do të ishte ideal për ne, por nuk e kam pyetur atë ende. Nuk është se e kemi përmendur këtë temë me Henri. Data1 janar është thelbësore për ne. Kemi 7 ditë kohë për të menduar çfarë të bëjmë dhe emrat që do të vendosim të afrojmë”, deklaroi Venger.
Saturday, 24 December 2011 13:27