Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, mendon se Barcelona do të fitojë edhe këtë sezon Ligën e Kampioneve. Tekniku francez ndjen se katalanasit kanë eksperiencën dhe klasin individual për t’i shkuar deri në fund turneut, ndërsa kthimi i futbollistëve të dëmtuar mund të ndihmojë më tepër skuadrën e Pep Guardiolës.
Edhe Real Madrid shihet si një pretendent për fitoren e trofeut evropian, por Venger është i sigurt se është Barça ajo që ka në gjirin e saj lojtarin që bën diferencën mes këtyre dy ekipeve rivale në një finale të mundshme.
“Sipas mendimit tim, Barcelona është favorite për të fituar Ligën e Kampioneve edhe këtë vit”, tha Venger për “Eurosport”. “Fillimisht, ata kanë një vetëbesim të lartë pasi e kanë fituar edhe më parë këtë turne”.
“Më pas, ata po arrijnë të riaftësojnë lojtarët që u kanë munguar për një kohë të gjatë për shkak dëmtimesh. Madridi mund të ketë Kristiano Ronaldon në skuadër, por Barcelona ka Lionel Mesin i cili është i aftë të të shënojë dy gola edhe nëse nuk është në formë të mirë”, tha tekniku francez.
Venger shtoi se katalanasit kanë një avantazh tjetër të rëndësishëm, atë të superioritetit të dukshëm ndaj kundërshtarëve kur luajnë në stadiumin “Kamp Nou”. “Është shumë e vështirë të luash në fushën e Barcelonës pa pësuar gol. Ata janë shumë të fortë në shtëpi. Edhe kur ti luan në fushën tënde, e di që ata do të të shënojnë në ndeshjen e kthimit në fushën e tyre pasi kanë një forcë të jashtëzakonshme sulmuese. Ky është një avantazh psikologjik i rëndësishëm për katalanasit”, tregoi Venger. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 20 March 2012 15:22